Në studimin e tij mbi Holokaustin të paraqitur në veprën Holokaustri dhe Moderniteti, Zigmund Bauman tenton të jepë një shpjegim krejtësisht të ndryshëm sa i përket Holokaustit dhe rrethanat të cilat e lejuan një ngjarje të tillë. Siç tregon edhe ai, prej përfundimit të luftës e këtej ka pasur shpjegime të shumta mirëpo ka munguar studimi i thelbit të tij. Sipas tij, rrethanat sociale kanë qenë shtysë kryesore, prandaj aty duhet përqendruar çdo studim i mirëfilltë mbi Holokaustin. Ai thotë se studimet që janë bërë kanë qenë kryesisht në fushën e Historisë dhe Psikologjisë, duke argumentuar kështu se kjo ka bërë që të mos preket thelbi i kësaj çështje. Historia kryesisht është marrur me shpjegimet kronologjike të ardhjes së nazistëve në pushtet dhe ndarjes së hebrenjëve nga pjesa tjetër e shoqërisë ndërsa Psikologjia – siç dihet studion individin, është marrur kryesisht më veprimet e liderëve dhe pjestarëve të caktuar duke lënë anash kështu aspektin social të problemit. Nga ktu ai pohon se fillimisht Holokausti duhet studiuar nga përspektiva sociologjike duke shfrytëzuar dijet dhe studimet në fushat e tjera siç janë Historia dhe Psikologjia. Pastaj ai thotë se këto studime kanë qenë të kufizuara vetëm në qarqet akademike duke qenë shpeshherë te pakuptueshme për publikun.

Bauman librin e fillon me analizimin e shpjegimeve të dhënave në pyetjen se përse hebrenjët kanë qenë të diskriminuarit dhe të atakuarit në shoqrinë perëndimore duke arritur kulmin me Holokaustin. Fillimisht ai i hedh poshtë të gjitha shpjegimet që, sipas tij, përveç që nuk kanë ndihmuar zbardhjen e kësaj çështje, e kanë devijuar edhe vetë rrugën e studimit dhe thelbin mbi Holokaustin.

Shpjegimet kryesisht kanë pasur si arsye antisemitizmin – urrejtjen fetare ndaj hebrenjëve. Bauman argumenton të kundërtën duke thënë se edhe pse ka ekzistuar gjithmonë kjo ndarje, qysh prej mesjetës, asnjëherë nuk është shndërruar në akte kriminale sistematike ose shfarosje në masë siç ishte Holokausti. Sipas tij, potencialin dhe vullnetin për një gjë të tilë  e ka mundësuar moderniteti bashkë me ndryshimet sociale të cilat i përfshinë.

Një koncept shumë i rëndësishëm për të kuptuar studimin e Baumanit është racizmi. Ai argumenton se racizmi, për dallim prej çdo lloji tjetër të heterofobisë, dallon për faktin se është modern. Si rrjedhim, për Baumanin moderniteti përveç që ka mundësuar një akt të tillë ka qenë parakusht kryesor për realizimin e tij. Racizmi është modern për shkak të potencialit të tij shkatërrues dhe se bazohet në një teknologji të zhvilluar, burokraci me ndarje strikte të punës, dhe më e rëndësishmja në ‘të vërteta’ shkencore të cilat e përligjin atë; gjitha këto produkte të modernitetit.

 

Shndërrimi i rolit të shtetit në modernitet

Sipas Bauman, turmat asnjëherë nuk kane mundur të shkaktojnë vrasje masive. Edhe në rastin e hebrenjëve protestat dhe turmat anti-semitiste nuk kanë mundur të shkaktojnë më shumë se dhjetra vrasje. Kjo për shkak se turmat janë emocionale dhe kanë ndjeshmëri edhe ndaj vrasjeve të kundërshtarëve e për më tepër, për vrasje të tilla me shifra milionëshe duhet një rregullim krejt tjetër i pushtetit dhe monopolit të dhunës. Këtë e ka bërë pikërisht moderniteti me ndërrimin e rolit të shtetit. Shteti modern është tejet i përqëndruar dhe ka një potencial shumë të madh force. E gjithë forca e shpërndarë në shoqëri i atribuohet tashmë shtetit. Këtë Bauman e ilustron në mënyrë figurative me rolin e pylltarit dhe kopshtarit. Ai thotë se shteti paramodern e ka pasur rolin e pylltarit dhe detyra e tij ka qenë vetëm ruajtja e shtetit dhe shoqërisë nga sulmet e jashtme, ashtu siç bën pylltari. Ndërsa në modernitet shteti mërr rolin e kopshtarit që përveç që ka detyrë ta ruaj shtetin dhe shoqërinë, ai ka në dorë pushtetin edhe për ta modeluar atë sipas mendjes së tij. Natyrisht se në një kopsht perveç bimëve të dobishme ka edhe barëra të cilat i dëmtojnë ato. Në këtë rast roli i kopshtarit është eleminimi i tyre. Në rastin e Gjermanisë naziste këto ‘barëra të dëmshme’ e të pandrequra kanë qenë hebrenjët dhe mundësia e vetme ka qenë eleminimi. Pra, ideja për modelimin e shoqërisë si dhe potenciali dhe përqëndrimi i forcës nga shoqëria te shteti në modernitet, sipas Bauman, mundësuan shfarosjen në masë.

 

Roli i organizimit burokratik në ekzekutimin e shfarosjes

Një produkt tjetër i modernitetit i cili paraqet poashtu një potencial shkatërrues shumë të fuqishëm është edhe rendi burokratik dhe racionalizimi i njëriut në këtë organizim. Ajo çka e dallon shoqërinë moderne në atë paramoderne është ndarja e punës e cila për qëllim ka efiçiencën. Mbi këto parime organizohet edhe administrata shtetërore ku ekziston një ndarje e përpiktë e punës. Kjo ndarje e punës dhe ky racionalizim që kërkon vetëm efiçiencën nuk është i aftë të mendojë për vlerat dhe normat morale dhe në raste të caktuara mund të shndërrohet një makinë vrasëse. Siç thotë Bauman, ‘në një shoqëri të racionalizuar, iracionalisti aventurier bëhet diktator’.

Burokracia në rastin e Holokaustit, sipas Baumanit, mundësoi dy gjëra; heqjen e përgjegjësisë morale dhe shndërrimi i saj në përgjegjësi teknike si dhe zhdukjen e ndjenjave emocionale të vrasësit përballë viktimës. Në organizimin burokratik, antarët e saj depersonifikohen dhe si të tillë nuk ndjejnë përgjegjësi morale ndaj ndaj njëri tjetrit dhe më e rëndësishmja nuk ndjejnë përgjegjësi për produktin përfundimtar. Sa i përket heqjes së barrës emotive te vrasësit këtë Bauman e argumenton duke përforur eksperimentin e Milgramit. Ky eksperimet tregon që çdo njëri më urdhër të një autoriteti mund të bëhet një ushtar i SS-ve apo vrasës i çfardo lloji dhe më e rëndësishmja kur ne nuk e kemi përballë fizikisht viktimen kemi prirjen ti shkaktojmë më shumë dhimbje.

Bauman shpjegon se pikërisht kjo ka ndodhur në Holokaust. Vrasësi i cili ka urdhëruar vrasjet ka qëndruar në zyre dhe urdhëri ka kaluar nëpër rrugët burokratike. Kjo ka bërë që vrasësi të mos e shoh fare viktimën duke mundësuar kështu që barra morale të jetë më e vogel duke e imagjinuar kështu viktimën në mënyrë abstrakte.

 

Objektiviteti shkencor dhe imuniteti i saj ndaj iracionales

Natyrisht se çdo veprimi të pushtetit i duhët legjitimim te një e vertetë. Në paramodernitet të vërtetat kanë ardhur nga një autoritet moral apo religjioz ndërsa në modernitet burimi kryesor i të vertetës bëhet shkenca. Sipas ideve të filozofisë iluministe, ‘tashmë zoti është natyra, shkenctarët profetët ndëesa kulti i vetëm shkenca’. Bauman e vë në dyshim këto të verteta duke përdorur zhvillimin e shkencës në Gjermaninë naziste dhe ndikimi i saj në Holokaust. Siç dihet, gjatë pushtetit nazist janë hapur qendra të shumta studimi e në veçanti qendra studimi të biologjisë e shkencës politike.

Shkenca përveç që i ka legjitimuar veprimet e pushtetit, ajo edhe i ka ideuar ato. Shkenca e asaj kohe duke përdorur dallimet racore në kafshë ka krijuar ide të këtyre ndarjeve edhe në qeniet njerëzore. Ky sociodarvinizëm i devijuar është përligjur nga pushteti i të vërtetave shkencore të cilat i kanë besuar edhe vetë udhëheqësit dhe ideatorët e shfarosjes në partinë naziste. Arsye kryesore për këtë sipas Bauman është objektiviteti i shkencës i cili është imun ndaj çdo ndjenje apo vlere iracionale.

 

Zhvillimi teknologjik dhe potenciali shkatërrues

Ndarja e punës dhe specializimi kanë mundësuar një zhvillim të hovshëm të inxhinierisë dhe teknologjisë. Ashtu si te çdo ndarje e punës dhe specilizim edhe në aspektin e teknologjisë qëllimi kryesor është efiçienca dhe arritja e rezultateve sa më të mëdha me shpenzime sa më të vogla. Konsekuencat e kësaj në raport me njeriun është ajo që Bauman e quan dehumanizim. Inzhinierët dhe teknikët të cilët i kanë ideuar mjetet e vrasjes masive gjatë Holokaustit viktimat i kanë shndërruar në numra dhe shifra të matshme. Kjo mënyrë efektive ka mundësuar edhe heqjen e barrës emocionale te çdo teknik i  prodhimit të këtyre makinave vrasëse. Bauman e merr një shembull të prodhimit të një makine mobile që shërbente për vrasje masive në atë kohë. Kryesuesi dhe ideatori i këtij produkti iu referohet punëtorëve të tij më një letër ku viktimat dhe të gjitha veprimet njerëzore i paraqet në terma teknikë. Kjo e bën teknologjinë moderne një potencial shkaterrues shumë të madh nëse përdoret mbi argumente të devijuara shkencore dhe nga udhëheqës brutalë siç ishin në Gjermaninë naziste.

 

Në vend të konkluzionit

Ky studim përveç që na ofron një pasqyrë të qartë mbi atë se çka ndodhi dhe cilat parakushte përgatitën Holokaustin, na pajisë me një qasje kritike edhe ndaj botës në të cilën jetojmë më po këtë hov të zhvillimit shoqëror. Pikërisht kjo ishte edhe ideja e Bauman në këtë libër, që të ipet një shembull dhe të argumentohet se ngjarje si Holokausti nuk kanë qenë një gabim historik apo dëshirë e disa njerëzve të çmendur mirëpo ishte një ‘fytyrë’ tjetër e zhvillimit modern të shoqërisë. Kur këto kushte janë ende prezente, për Baumanin, ne duhet të reflektojmë dhe të rishikojmë këtë zhvillim në mënyrë që të ndalim ndonjë akt të tillë siç ishte Holokausti. Kjo mund të duket paranojë e tij apo me bazë ndjesore mirëpo ai argumenton se edhe për Holokaustin askush nuk e ka besuar se mund të ndodh diçka e tillë pesë ose dhjetë vite më përpara.

Kur iu referohemi kohës sonë për Baumanin nuk është shqetësuese se ka turma të cilat urrejnë të tjerët ose njërëz të tillë në rrugë. Për të shqetësuese është se ka politikanë dhe intelektualë të cilët shprehen në mënyrë të njejtë ndaj ndaj një pjese të shooqërisë, si shembull imigrantët që vijnë nga Azia, si dhe mbështetja e madhe dhe heshtja e intelektualëve të tjerë ndaj këtyre sulmeve. Në këto rrethana studimi i Holokaustit dhe dështimi i gjithë projektit modern në të është shumë i rëndësishëm dhe parandalues ndaj çdo akti johuman që mund të bëjë shoqëria me mekanizmat mod

Advertisements